Tym i bardhë ka dalë nga oxhaku i Kapelës Sistine, duke sinjalizuar zgjedhjen e Papës së ri, pasardhësit të Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë më 21 prill në moshën 88-vjeçare. Njoftimi i shumëpritur erdhi pas disa raundeve të votimeve të pasuksesshme, të cilat u shënjuan me tym të zi, duke treguar mungesën e konsensusit mes 133 kardinalëve zgjedhës.
Procesi i konklavës, i cili filloi më 7 maj, u zhvillua në kushte të rrepta izolimi në Kapelën Sistine. Sipas burimeve zyrtare, raundi i parë i votimit përfundoi pa rezultat, siç u tregua nga tymi i zi i dalë mbrëmjen e 7 majit rreth orës 21:00. Po ashtu, të paktën dy raunde të tjera votimesh të zhvilluara paraditen e 8 majit rezultuan të pasuksesshme, me tym të zi që u ngrit nga oxhaku, duke mbajtur besimtarët dhe botën në pritje.
Më në fund, pas disa ditësh diskutimesh intensive dhe votimesh, kardinalët arritën shumicën e nevojshme prej dy të tretash (të paktën 89 vota) për të zgjedhur Papën e 267-të të Kishës Katolike. Ceremonia solemne filloi me meshën “Pro Eligendo Papa” në Bazilikën e Shën Pjetrit, të udhëhequr nga Kardinali Giovanni Battista Re, dhe vazhdoi me procesionin e kardinalëve drejt Kapelës Sistine, ku u bë betimi për ruajtjen e sekretit absolut.
Pas daljes së tymit të bardhë, kardinali protodiakon pritet të shfaqet në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit për të shpallur frazën tradicionale “Habemus Papam”, duke prezantuar emrin dhe identitetin e Papës së ri para besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa i ri do të japë më pas bekimin e tij të parë apostolik “Urbi et Orbi”.
Ky moment shënon një kapitull të ri për Kishën Katolike, e cila përballet me sfida të mëdha, përfshirë ndarjet mes reformistëve dhe konservatorëve. Ekspertët e Vatikanit kanë theksuar se Papa i ri do të ketë për detyrë të unifikojë një kishë të ndarë thellësisht dhe të çojë përpara trashëgiminë e Papa Françeskut.
Për arsye të ruajtjes së sekretit, detaje të mëtejshme rreth identitetit të Papës së ri dhe procesit të votimit do të bëhen të ditura vetëm pas njoftimit zyrtar. Besimtarët dhe bota presin me padurim fjalët e para të udhëheqësit të ri shpirtëror të 1.4 miliardë katolikëve në mbarë botën.