Turqia po intensifikon përpjekjet për të siguruar avionë luftarakë të avancuar nga partnerët perëndimorë, në një përpjekje për të rifituar avantazhin strategjik rajonal dhe për të përforcuar fuqinë e saj ajrore. Sipas burimeve diplomatike dhe ushtarake, Ankaraja ka propozuar zyrtarisht disa opsione ndaj SHBA-së dhe vendeve evropiane për të përshpejtuar blerjen e avionëve Eurofighter Typhoon dhe F-35, ndërkohë që synon të kompensojë terrenin ndaj rivalëve si Izraeli dhe Greqia.
Turqia, anëtare e NATO-s me ushtrinë e dytë më të madhe të aleancës, kërkon të përfitojë nga marrëdhëniet e përmirësuara me Perëndimin për të modernizuar flotën e saj të vjetruar. Ankaraja nënshkroi një marrëveshje paraprake në korrik për 40 avionë Eurofighter Typhoon, ndërsa synon edhe kthimin në programin F-35, nga i cili u përjashtua për shkak të sanksioneve amerikane pas blerjes së sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.
Sipas burimeve të afërta me negociatat, Turqia është afër një marrëveshjeje me Britaninë dhe disa vende evropiane për të marrë menjëherë 12 avionë Typhoon të përdorur nga Katari dhe Omani, si zgjidhje e përkohshme për nevojat e menjëhershme të mbrojtjes.
Konsorciumi Eurofighter, i përbërë nga Britania, Gjermania, Italia dhe Spanja, pritet të miratojë këtë marrëveshje, ndërsa më vonë do t’i dorëzojë Turqisë edhe 28 avionë të rinj në kuadër të një kontrate përfundimtare blerjeje.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan pritet të diskutojë këtë çështje gjatë vizitave të tij zyrtare në Katar dhe Oman, ndërsa më vonë këtë muaj do të presë në Ankara kryeministrin britanik Keir Starmer dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, ku pritet të nënshkruhen marrëveshjet.
Një zëdhënës i qeverisë britanike i tha Reuters se memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar në korrik “i hap rrugën një marrëveshjeje multimiliardëshe deri në 40 avionë Typhoon”, duke shtuar se detajet përfundimtare po finalizohen.
Edhe ministri gjerman i Jashtëm Johann Wadephul deklaroi se Berlini mbështet shitjen e avionëve, duke sinjalizuar se marrëveshja mund të konkretizohet brenda vitit.
Megjithëse bisedimet për Eurofighter po ecin me ritëm pozitiv, blerja e avionëve amerikanë F-35 mbetet peng i sanksioneve CAATSA, të vendosura në vitin 2020 për shkak të sistemit rus S-400.
Burime diplomatike theksojnë se Ankaraja dhe Uashingtoni po shqyrtojnë mundësinë e një “heqjeje dorë presidenciale” që do t’i mundësonte Turqisë të kapërcente sanksionet dhe të rifillonte blerjen e F-35-ve.
Nënkryetari për punë të jashtme i Partisë në pushtet AK, Harun Armagan, tha për Reuters:
“Të dyja palët e dinë që çështja e CAATSA-s duhet të zgjidhet. Qoftë me një vendim presidencial apo kongresional, topi është në fushën e SHBA-së.”
Zyrtarë amerikanë konfirmuan se administrata e Trump po kërkon “zgjidhje kreative” për të kapërcyer ngërçin, por nuk dhanë detaje të mëtejshme.
Në anën tjetër, Turqia ka zhvilluar edhe projektin e saj vendas për avionin stealth “KAAN”, por zyrtarët pranojnë se do të duhen vite derisa ai të zëvendësojë flotën aktuale të F-16-ve, që mbeten shtylla kryesore e forcës ajrore turke.
Sipas analistëve, presioni i Turqisë për të forcuar fuqinë ajrore vjen pas rritjes së tensioneve me Izraelin dhe përparimit të Greqisë në armatime.
Izraeli aktualisht zotëron qindra avionë F-15, F-16 dhe F-35, ndërsa Greqia pritet të marrë grupin e parë të avionëve F-35 brenda tre viteve të ardhshme.
Këto zhvillime, bashkë me sulmet izraelite në Gaza, Siri dhe Iran, kanë nxitur Ankaranë të kërkojë modernizim të menjëhershëm për të shmangur dobësitë strategjike.
Ligjvënësi i opozitës CHP dhe ish-gjenerali i Forcave Ajrore Turke, Yanki Bağcıoğlu, tha se:
“Sistemi ynë aktual i mbrojtjes ajrore nuk është në nivelin e dëshiruar. Ne duhet të përshpejtojmë zhvillimin e projekteve KAAN, Eurofighter dhe F-16 për të garantuar sigurinë kombëtare.”

