Projektligji që mundëson tërheqjen e një pjese të kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti), sërish do të jetë në shqyrtim në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës.

Më 7 dhjetor 2022, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere kishte miratuar kalimin e propozimit për tërheqjen nga Trusti për ta dërguar në Kuvend. Nga nëntë vota, katër ishin për, tri kundër dhe dy abstenime. Deputetët që kanë abstenuar ishin Visar Korenica dhe Eman Rrahmani nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa për ishte Duda Balje që është pjesë e koalicionit qeverisës.

Për kalimin e këtij Projektligji nevojitet shumica e thjeshtë e votave të deputetëve që marrin pjesë në votim.

“Votim i thjesht sikurse për çdo ligji, prezent 61 deputetë, ku shumica duhet të jenë për”, kështu ka konfirmuar për Telegrafin deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu.

Më 15 korrik 2022, në Kuvendin e Kosovës janë dorëzuar 21 mijë e 398 nënshkrimet e mbledhura nga organizatorët e peticionit për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve të Trustit

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ableard Tahiri është shprehur se qytetarët janë duke pritur lejimin për të tërhequr nga 10 për qind deri në 30 për qind të kursimeve nga Trusti.

“Shpresojmë që të gjithë deputetët do të reflektojnë kësaj kërkese të qytetarëve të Kosovës, është e rëndësishme për secilën familje e cila do ta zbusë sado pak gjendjen e rëndë të cilën janë duke e përballuar, e dimë inflacioni shumë i lartë, pagat janë zhvlerësuar dhe nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet që i kanë familjet në vend, qofshin policit, arsimtarit, qofshin profesorët, mjekët, të gjithë që paguhen nga buxheti i Kosovës dhe urojmë që ditën e enjte do të kalojë në lexim të parë dhe të mos refuzohet ashtu siç është refuzuar herën e kaluar”, deklaroi Tahiri.

Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje vijon ta kundërshtojë këtë iniciativë. Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila konfirmoi se partia e saj nuk ka ndryshuar qëndrim rreth kësaj çështjeje dhe sërish e kundërshton tërheqjen e Trustit.

“Qëndrimi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje është i qartë, nuk e kemi mbështetur tërheqjen e 30 përqindëshit të Fondit të Kursimeve Pensionale, konsiderojmë se në aspektin ekonomik mund të ketë një ndjesi të zgjidhjes në aspektin afatshkurtër megjithatë në të njëjtën periudhë kohore do të ketë ndikim afatmesëm dhe afatgjatë negativ edhe në mirëqenien e qytetarëve edhe në parametra të tjerë ekonomikë, përfshirë edhe ngritjen e çmimeve, sasinë e parasë se gatshme në qarkullim dhe humbjen e sigurisë për të ardhmen për të gjithë ata që i tërheqin Fondin e Kursimeve Pensionale kur të arrijnë moshën e pensionimit”, deklaroi Kusari-Lila.

Po ashtu, Banka Botërore është shprehur kundër tërheqjes së kursimeve nga Trusti. Eksperti i BB-së për Ballkanin Perëndimor, Richard Record ka thënë se një veprim i tillë do ta rriste edhe më shumë inflacionin.

“Masa e propozuar për të lejuar një rund të dytë të tërheqjeve të konsiderueshme nga Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës, do të ishte regresive, do ta rrezikonte qëndrueshmërinë afatgjate të sistemit të pensioneve dhe do ta nxiste edhe më tej inflacionin.

Në vitin 2020, pas krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia COVID-19, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, që u ka mundësuar qytetarëve tërheqjen e 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, gjatë kohës sa kanë punuar.

Procesi i tërheqjes së kësaj përqindjeje nga Trusti pati nisur nga fundi i dhjetorit të vitit 2020 dhe pati zgjatur deri në fillim të prillit të vitit 2021.

Nga të dhënat e Fondit për Kursime Pensionale, asokohe janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427 mijë e 371 kontribuues.

Qeveria e Kosovës ka marr vendim që ta shtyjë edhe për gjashtë muaj afatin për fillimin e rimbursimit të 10 përqindëshit deri në fund të muajit qershor 2023. Aplikimi për kthimin e mjeteve do të hynte në fuqi më 31 dhjetor 2022.

Ndryshe, në qershor të vitit të kaluar, përkundër debateve, propozimi për tërheqjen e këtyre kursimeve nuk është votuar nga shumica e deputetëve, me arsyetimin e se këto mjete financiare janë për moshën e pleqërisë. /Telegrafi/

Next Post