Të paktën 16 persona, përfshirë tre fëmijë, kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës, njoftoi të dielën Mbrojtja Civile e këtij territori, që prej më shumë se dy muajsh ndodhet nën një bllokadë të plotë izraelite dhe të shkatërruar nga luftimet.
Sipas Mahmud Basal, zëdhënës i shërbimit të shpëtimit, gjashtë persona u vranë në sulmet gjatë natës në zonën e Khan Younis, në jug të Gazës. Dy viktima ndodheshin në një tendë në Abasan, ndërsa katër të tjerë, përfshirë dy fëmijë të moshës pesë dhe dy vjeç, ndodheshin në një apartament në zonën al-Mawasi.
Më vonë, Mbrojtja Civile raportoi edhe dhjetë viktima të tjera nga një tjetër sulm ndaj një tende në al-Mawasi, ku u vranë shtatë gra dhe një fëmijë.
Ushtria izraelite nuk ka komentuar menjëherë lidhur me këto informacione për agjencinë AFP, por në një deklaratë të publikuar të dielën në mëngjes, ajo njoftoi se kishte sulmuar më shumë se 100 objektiva të ashtuquajtura “terroriste” në Gazë në dy ditët e fundit. Ushtria gjithashtu tha se trupat e saj kishin zbuluar depo armësh dhe kishin vrarë disa persona që i cilësoi si “terroristë”.
Bombardimet izraelite në Gaza rifilluan më 18 mars, duke i dhënë fund një armëpushimi dy-mujor me Hamasin, pas sulmit të paprecedentë të këtij grupi islamist më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit.
Në atë sulm u vranë 1,218 persona, shumica civilë, sipas shifrave të AFP-së të bazuara në të dhënat zyrtare izraelite. Nga 251 pengjet e rrëmbyer atë ditë, 58 mbeten ende në Gaza, prej të cilëve 34 janë shpallur të vdekur nga autoritetet izraelite.
Më 2 mars, Izraeli ndërpreu çdo ndihmë humanitare për Gazën, duke e akuzuar Hamasin për devijim të ndihmave. Izraeli thotë se bllokada totale synon të ushtrojë presion mbi Hamasin për lirimin e pengjeve.
OKB-ja, në anën tjetër, ka bërë thirrje të përsëritura për lejimin e ndihmave humanitare, të cilat konsiderohen jetike për një popullsi në prag urie, por pa sukses deri më tani.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që drejtohet nga Hamasi dhe konsiderohet e besueshme nga OKB-ja, fushata ushtarake izraelite që nga 7 tetori ka shkaktuar të paktën 52,535 viktima, shumica dërrmuese civilë.