Më 3 Tetor Gjermania shënon Ditën e Bashkimit, përvjetorin historik të ribashkimit të Lindjes dhe Perëndimit. Kjo datë lidhet me momentin kur më 1990, pas rënies së Murit të Berlinit, u realizua zyrtarisht bashkimi i Republikës Federale të Gjermanisë (RFGJ) me Republikën Demokratike Gjermane (RDGJ).
Historia e ndarjes
Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, Gjermania u nda në katër zona pushtimi nga fuqitë fitimtare: SHBA, Franca, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik. Në vitin 1949 u formuan dy shtete: RFGJ në Perëndim dhe RDGJ në Lindje, nën kontrollin sovjetik. Kufiri i RDGJ-së kontrollohej ashpër, ndërsa në Berlin u ndërtua muri për të penguar largimin e qytetarëve drejt Perëndimit.
Si u arrit bashkimi
Në fund të viteve ’80, qytetarët në RDGJ filluan protesta masive kundër regjimit socialist, duke kërkuar liri dhe demokraci. Politika e reformave të Gorbaçovit në Bashkimin Sovjetik e favorizoi procesin. Në vitin 1989 u rrëzua Muri i Berlinit, ngjarje që hapi rrugën drejt bashkimit.
Pse festohet më 3 Tetor e jo më 9 Nëntor
Edhe pse 9 Nëntori 1989 shënoi rënien e Murit, kjo datë është e ngarkuar historikisht me kujtimin e pogromit nazist kundër hebrenjve në vitin 1938. Për këtë arsye, data zyrtare e ribashkimit u përcaktua 3 Tetori 1990.
Si festohet sot
Dita e Bashkimit shënohet qetësisht, me aktivitete kulturore e festive në qytete të ndryshme. Çdo vit, njëri nga landet federale organizon ceremoninë qendrore. Sivjet, aktivitetet kryesore zhvillohen në Saarbrücken, në landin Saarland, me evente kulturore, turistike dhe kulinare nga 2 deri më 4 tetor. Për shumicën e gjermanëve kjo ditë është edhe një pushim kombëtar.
Ende pa një monument për bashkimin
Edhe pse Bundestagu vendosi në vitin 2007 ngritjen e një memoriali kushtuar lirisë dhe bashkimit, projekti nuk është realizuar ende për shkak të mosmarrëveshjeve mes firmave dhe institucioneve shtetërore. Deri më tani është vendosur vetëm bazamenti i gjysmësferës së planifikuar.
A është Gjermania realisht e unifikuar?
Sipas sondazheve të fundit, perceptimi për bashkimin mbetet i ndarë. Vetëm 35% e të anketuarve mendojnë se Lindja dhe Perëndimi janë integruar plotësisht. Në Lindje këtë bindje e ndajnë vetëm 23% e qytetarëve, ndërsa në Perëndim 37%. Si pengesë kryesore për unifikimin e plotë, shumica theksojnë pabarazitë në paga, pensione dhe pasuri.
Burimi: Deutsche Welle (DW)

