Më 4 qershor, në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve Viktima të Agresionit, një ditë e shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për të nderuar dhe mbështetur fëmijët që vuajnë pasojat e konflikteve, luftërave dhe formave të ndryshme të dhunës.
Kjo ditë u krijua më 19 gusht të vitit 1982, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, gjatë një sesioni të veçantë kushtuar çështjes palestineze, vendosi ta shpallë 4 qershorin si Ditë Ndërkombëtare të Fëmijëve Viktima të Agresionit. Vendimi erdhi si reagim ndaj numrit të madh të fëmijëve palestinezë dhe libanezë që kishin humbur jetën ose ishin plagosur gjatë konfliktit në Liban, transmeton Klankosova.tv.
Qëllimi i kësaj dite është të njihet dhimbja dhe vuajtja e fëmijëve që janë viktima të abuzimit fizik, mendor dhe emocional, si dhe të rritet ndërgjegjësimi ndërkombëtar për nevojën e mbrojtjes së të drejtave të tyre.
Po ashtu, kjo ditë synon të tërheqë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj pasojave që konfliktet e armatosura dhe dhuna kanë mbi fëmijët, duke theksuar rëndësinë e garantimit të sigurisë, mirëqenies dhe të drejtave të tyre në çdo rrethanë.

