Vetëm dy ose tri herë Albin Kurti i Vetëvendosjes u nxorr nga kollaji i bisedës gjatë intervistës mbrëmë në Kanal 10.
Më domethënësja ishte kur u pyet të numërojë projekte kapitale me rëndësi gjatë gjashtë viteve qeverisje.
I pari i Vetëvendosjes iu kthye me tone të mprehta analistit, duke i thënë të mos e krahasojë “me mendësinë e atyre (ish-qeverive),” sepse “unë kam punuar për t’i nxjerrë njerëzit nga varfëria.”
Pyetja që iu shtrua ishte me çfarë projekti, nga mbi 20 miliardë euro të menaxhuara, “mund të krenohesh?”
Kurti tha se motoja e tij “punë dhe drejtësi” ka përbërë suksesin e tij qeverisës “e jo, autostrada, si ata.”
Këtë e tha përkundër të dhënave ndërkombëtare: Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore e rendisin Kosovën si vendin më të varfër pas Moldavisë.
Sipas të njëjtave të dhëna, 33.7% e popullatës mbeten nën pragun krahasues prej 8 dollarëve në ditë, ndërsa mbi 10% mbesin në varfëri ekstreme, shifra shumëfish më të larta se në rajon.
Kurti tha se investimet kapitale nuk kanë qenë orientimi i tij dhe se ato nuk i sheh si qëllim në vetvete.
“Vetëm e kam njëfarë përshtypje që më ke ngatërru me ata të opozitës. Ata kanë premtu ashtu, unë s’kam premtu ashtu. Ju duhet me më matë mu me premtime te mia, jo tyne,” tha ai.
“Më ke ngatërru me ta. Nuk jam unë ata. Më lejoni t’i vendosim faktet. Unë jam Albin Kurti. Nuk kam premtu unë projekte kapitale.”
“Mos më mat me mendësinë atyre para meje. Unë kam ardhë në pushtet se populli s’po i don mo ata. Populli e ka bankrutu atë mendësi. Ka shku ajo.”
“Mos më matni me qasjen e zotimet e tjerëve. Zotimet e tona: ‘punësi dhe drejtësi.’ Shpenzimet kapitale nuk janë qëllim në vetvete.”
“Për mua është i rëndësishëm një shpenzim që krijon vende pune. Jo vetëm shpenzim kapital. Ne i kemi kriju 85 mijë vende pune.”
Kurti tha se gjatë mandatit i ka shtruar 800 kilometra rrugë nëpër fshatra, ndërsa 870 të tjera janë duke u shtruar, “100 prej tyre vetëm në veri.”
“Investimet kapitale nuk janë qëllim në vetvete. Autostradat janë të dobishme, por super të shtrenjta, pa drejtësisht, me shumë elemente korruptive që do të duhej të rezultonin me aktakuza.”
“Çfarë kemi bërë ne: mbi 800 kilometra rrugë nëpër fshatra dhe 870 km të tjera janë tu shtru, prej tyre 100 km në veri të Kosovës.”
“Unë kam qenë i interesuar t’i lidhi fshatrat me autostradat. Qasja është krej tjetër.”
“Investimet kapitale ua shpjegova se cilat do të jenë mandatin e ardhshëm: digat, hekurudhat, gazifikimi, minierat. Tash na është dashur t’i nxjerrim njerëzit prej varfërisë,” tha ai.

