Ukraina është përballur me sulmin më të madh rus që nga fillimi i luftës, me 69 raketa dhe 298 dronë të lëshuar gjatë natës, sipas raportimeve zyrtare. Sulmet kanë shkaktuar të paktën 12 viktima dhe dëme të mëdha në disa qytete të vendit.
Në kryeqytetin Kiev, katër persona humbën jetën dhe 16 të tjerë u plagosën, përfshirë edhe tre fëmijë, ndërsa disa ndërtesa banimi u dëmtuan nga zjarret e shkaktuara nga sulmet ajrore. Qindra banorë u strehuan në stacionet e metrosë për t’u mbrojtur nga bombardimet.
Në qytetin jugor të Mykolaivit, një burrë i moshuar vdiq dhe pesë persona u plagosën pas një sulmi me dron në një ndërtesë pesëkatëshe. Katër viktima u raportuan edhe në rajonin Khmelnitsky në Ukrainën perëndimore.
Në Zhytomyr, perëndim të Kievit, dy fëmijë dhe një adoleshent u vranë gjatë sulmeve, ndërsa dhjetë persona të tjerë u plagosën. Ndërsa në Kharkiv, tre persona u plagosën në sulmet e fundit, sipas agjencisë AFP që citoi autoritetet lokale.
Vazhdon bombardimi i ndërsjellë
Sirenat e alarmit u dëgjuan në pothuajse të gjithë Ukrainën gjatë natës, ndërsa forcat mbrojtëse rrëzuan 45 raketa dhe dronë nga sulmi total prej 367 pajisjeve të sulmit. Ukraina raportoi rrëzimin e pesë dronëve dhe njëmbëdhjetë raketave në qytete të ndryshme, përfshirë Krivyi Rih, Kherson dhe Ternopil.
Kjo është nata e dytë me sulme të mëdha ruse, pasi të shtunën në mbrëmje u hodhën rreth 250 dronë dhe 14 raketa balistike, kryesisht drejt Kievit.
Reagimi i Ukrainës dhe tensionet në kufirin rus
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje për rritjen e presionit ndërkombëtar mbi Moskën, duke theksuar se “pa një presion të fortë ndaj udhëheqjes ruse, kjo brutalitet nuk mund të ndalet”. Ai kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar vendosmëri në sanksionet ndaj Rusisë për të ndalur sulmet.
Nga ana tjetër, Rusia raportoi sulme të reja me dronë të Ukrainës mbi tetë rajone të saj. Sipas kryetarit të bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, 95 dronë u rrëzuan të shtunën në mbrëmje, përfshirë 12 që po i afroheshin kryeqytetit. Nuk raportohet për viktima, por disa dëme janë konstatuar.
Për shkak të sulmeve me dronë, katër aeroporte kryesore të Moskës, përfshirë Sheremetyevo, u mbyllën përkohësisht, sipas autoriteteve ruse.