Siç njofton Ministria e Brendshme e Kroacisë, të shtunën në pikën kufitare Karasovići, drejt Malit të Zi dhe Shqipërisë, u gjetën dhe u sekuestruan 702.435 euro të padeklaruara në një makinë.
Autoritetet doganore të Shërbimit Kundër Kontrabandës dhe Hetimit së bashku me Sektorin e Njësisë Mobile të Dubrovnikut dhe policinë lokale të Dubrovnik-Neretvës, gjatë kontrolleve të përforcuara, ndaluan automjetin e drejtuar nga një shtetas shqiptar.
Gjatë kontrollit, u zbulua se shtetasi shqiptar nuk kishte deklaruar shumën e madhe të parave, siç kërkohet nga Administrata Doganore ose Policia Kufitare, as me shkrim dhe as elektronikisht, por kishte fshehur paratë në automjet.
Paratë e sekuestruara u konfiskuan menjëherë, ndërsa i dyshuari u arrestua nga policia me dyshim për kryerjen e një vepre penale dhe iu dorëzua mbikëqyrësit të paraburgimit për procedura të mëtejshme.