Për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, Prokurori i Shtetit ka angazhuar sot rreth 80 prokurorë dhe staf mbështetës të Sistemit Prokurorial të Kosovës, të cilët po qëndrojnë në kujdestari gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve lokale në raundin e dytë.
Sipas njoftimit zyrtar, prokurorët janë të shpërndarë në të gjitha qytetet ku funksionojnë prokuroritë themelore, ndërsa në zonat ku nuk ka objekte prokurorie, ata po qëndrojnë në stacione policore, duke bashkëpunuar ngushtë me hetuesit e Policisë së Kosovës për të vepruar menjëherë ndaj çdo parregullsie zgjedhore.
“Qëllimi është i qartë – mbrojtja e votës së lirë dhe reagimi i menjëhershëm ndaj çdo përpjekjeje për keqpërdorim apo manipulim të procesit”, thuhet në komunikatë.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, po mbikëqyr nga afër ecurinë e detyrave të prokurorëve në terren, si dhe bashkërendimin me koordinatorët rajonalë dhe prokurorin që ndodhet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve, subjekteve politike dhe organizatave të ndryshme që të raportojnë çdo dyshim për manipulim apo keqpërdorim të votës, në mënyrë që procesi zgjedhor të zhvillohet me transparencë dhe në frymën e plotë të ligjit demokratik.

