Ngërçi institucional që ka përfshirë Kuvendin e Kosovës po sjell pasoja të rënda për vendin. Plot 882 milionë euro mbeten të bllokuara, për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit dhe pamundësisë për të miratuar vendimet e nevojshme buxhetore dhe zhvillimore.
Alarmi është dhënë nga drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, i cili në një postim të shkurtër, por domethënës në rrjetet sociale, shkruan:
“882 milionë euro të bllokuara për shkak të një Kuvendi që nuk po bëhet. Dëm i interesave të ngushta partiake. #ShtetiNePauze”
Situata ka ngjallur shqetësim në opinionin publik dhe komunitetin ndërkombëtar, pasi fondet e bllokuara janë pjesë e rëndësishme e projekteve infrastrukturore, sociale dhe ekonomike, përfshirë investime në arsim, shëndetësi dhe zhvillim lokal.
Një paralizë politike me kosto të lartë
Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të mblidhet për seanca të rregullta për disa javë rresht, si rezultat i mosmarrëveshjeve mes partive politike për axhendën legjislative dhe çështjet e menaxhimit të procesit zgjedhor të parakohshëm. Mungesa e konsensusit ka prodhuar një bllokadë politike, e cila po paralizon shtetin.
Zërat kritikë nga shoqëria civile dhe organizatat vëzhguese kërkojnë urgjentisht zhbllokimin e situatës dhe vendosjen e funksionalitetit institucional mbi interesat e ngushta partiake.
Thirrje për përgjegjësi
“Ky është një dëm që prek drejtpërdrejt qytetarët. Buxheti është për mirëqenien publike, jo për pazare politike. Politika duhet të reflektojë menjëherë,” theksojnë nga KDI.
Hashtag-u #ShtetiNePauze është duke u shpërndarë gjerësisht në rrjete sociale, duke u kthyer në simbolin e pakënaqësisë me ngecjen e funksionimit parlamentar.
Tashmë pritet reagimi i drejtëpërdrejtë i partive kryesore politike, ndërkohë që institucionet ndërkombëtare partnere po monitorojnë me vëmendje zhvillimet.