Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, ka shpërthyer në lavdërime për talentin e Barcelonës, Lamine Yamal, pas barazimit spektakolar 3:3 mes dy gjigantëve evropianë në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve.
Yamal, vetëm 16 vjeç, shënoi një gol të jashtëzakonshëm në paraqitjen e tij të 100-të për Barcelonën, duke dhuruar një tjetër performancë madhështore në skenën më të madhe të futbollit evropian. Inzaghi pranoi se skuadra e tij pati vështirësi për ta ndalur adoleshentin katalanas.
“Nuk kam parë një lojtar si ai për tetë ose nëntë vjet. Na u desh ta ‘dyfishonim’, por as kjo nuk mjaftoi – në fund e ruajtëm me tre lojtarë”, tha Inzaghi për Sky Sports.
“Ai gjithmonë gjen hapësirë, është i jashtëzakonshëm. Një lojtar si ky lind një herë në 50 vjet.”
Performanca e Yamal ka bërë jehonë edhe në mediat më prestigjioze botërore, të cilat tashmë e krahasojnë atë me legjendat Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi në të njëjtën moshë. Madje, disa analiza e vlerësojnë më të avancuar se të dy në këtë fazë të karrierës.
Spekulimet janë rritur se ai mund të bëhet fituesi më i ri në histori i Topit të Artë, duke thyer rekordin aktual të brazilianit Ronaldo, i cili e fitoi çmimin në moshën 20-vjeçare.
Ndeshja e kthimit mes Interit dhe Barcelonës zhvillohet të martën e ardhshme në Milano, ku do të vendoset finalisti i parë i Ligës së Kampionëve.