Një incident i pazakontë dhe skandaloz ka ndodhur të martën paradite brenda objektit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), ku dy zyrtare shtetërore janë përfshirë në një përleshje fizike. Ngjarja që ngjan me një skenar telenovele, dyshohet se është shkaktuar për shkak të një konflikti sentimental për një burrë, i cili sipas informacioneve është gjithashtu zyrtar shtetëror në një ministri tjetër.
Sipas burimeve të gazetës Reporteri.net, incidenti ndodhi kur njëra nga zyrtaret, e punësuar në një ministri, shkoi në ambientet e AIP dhe sulmoi fizikisht kolegen e saj, që punon në këtë institucion.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Policia e Kosovës, e cila e ka konfirmuar incidentin dhe ka bërë të ditur se rasti është cilësuar si “sulm ndaj personit zyrtar”.
“Më datë 30.04.2025, rreth orës 10:15 është pranuar informata për një sulm fizik në rrugën ‘Zenel Salihu’ në Prishtinë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ka intervistuar palët e përfshira, dhe dyshimet janë ngritur se ngjarja ka rrjedhur si pasojë e një mosmarrëveshje të mëhershme që palët kishin mes vete. Me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe hetimi vijon në procedurë të rregullt,” – ka deklaruar për Reporteri.net zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci.
Për të konfirmuar më shumë rreth ngjarjes, gazeta Reporteri.net ka tentuar të kontaktojë me Drejtoreshën e Përgjithshme të AIP, znj. Lumnije Demi, por nuk ka marrë përgjigje. Po ashtu, janë dërguar pyetje në adresën zyrtare të institucionit, i cili drejtohet nga Krenare Sogojeva-Dërmaku, por deri në momentin e publikimit nuk ka pasur përgjigje, pasi dita e enjte është ditë pushimi. Burimi: Reporteri.net