Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas ftesës zyrtare nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, për një marrëveshje bashkëqeverisëse, duke thënë se do ta shqyrtojë me kujdes letrën dhe do të japë një përgjigje të përshtatshme.
Abdixhiku u deklarua shkurt para gazetarëve, duke konfirmuar marrjen e letrës dhe theksuar se do të japë një përgjigje pasi ta shqyrtojë në mënyrë të detajuar përmbajtjen e saj.
“Kam marrë një letër dhe do të kthej përgjigje. Lejomëni të shkoj në zyrë ta shoh letrën njëherë dhe do të kthej përgjigje me kohë,” u shpreh ai.
Kreu i LDK-së u bëri thirrje edhe anëtarëve të partisë që të mbajnë qetësi dhe të veprojnë me maturi në këtë fazë të ndjeshme politike.
“I lus edhe njerëzit tanë që gjendjen e tanishme ta trajtojmë pa arrogancë dhe të kthejmë një përgjigje zyrtare, qysh i takon një partie,” shtoi Abdixhiku.
Në letrën e tij, Kurti kishte theksuar gatishmërinë për marrëveshje me LDK-në, duke potencuar se bashkëpunimi ndërmjet dy partive do të përfaqësonte dëshirën e shumicës së qytetarëve.
“Koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime. Kam bindjen që votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LVV. Edhe votuesit e LVV-së e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK. Pse të mos e bëjmë?” shkruan Kurti në letrën drejtuar Abdixhikut.
Kjo zhvillim vjen në një periudhë kur Kosova ndodhet në bllokadë institucionale dhe me një qeveri në detyrë për më shumë se pesë muaj. Një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së shihet si një nga opsionet kyçe për të tejkaluar ngërçin politik dhe për të mundësuar formimin e institucioneve të reja.
Vëmendja tani është e përqendruar në përgjigjen që do të japë zyrtarisht LDK-ja ndaj kësaj ftese për koalicion.