Në 27-vjetorin e rënies, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar dëshmorin Ilir Konushevci – Mërgimi dhe Dr. Hazir Malajn, të cilët ranë në pritë më 9 maj të vitit 1998, teksa transportonin armatim për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Në një ceremoni përkujtimore të mbajtur pranë varreve të dëshmorëve, ku morën pjesë familjarë, përfaqësues të kabinetit qeveritar, deputetë, miq dhe qytetarë, Kurti vlerësoi kontributin e Konushevcit si jetik për përgatitjen dhe mbështetjen logjistike të UÇK-së në kohët më të vështira të luftës.
“Mërgimi i jepte shpresë dhe guxim luftës çlirimtare. Ai ishte në krye të logjistikës dhe furnizimit me armatim e municion në një kohë kur përballeshim me një armik shumëfish më të pajisur,” tha Kurti.
Kryeministri kujtoi momentet e fundit të jetës së Konushevcit dhe Malajt, duke theksuar sakrificën e tyre supreme: “Mëngjesin e hershëm të 9 majit 1998, gjatë një misioni mes Kosovës dhe Shqipërisë, ranë në pritë. Dr. Hazir Malaj, i cili po e shoqëronte Ilirin, e mori mbi supe të plagosur, por u goditën sërish dhe trupat e tyre u hodhën poshtë një ure.”
Kurti shtoi se përkushtimi i Konushevcit për lirinë e Kosovës ishte i pashoq dhe përbën një nga shtyllat e luftës çlirimtare: “Pa njerëz si Iliri, nuk do të mund të kishim luftën çlirimtare, dhe pa të, nuk do të kishim as lirinë e shtetin që sot e gëzojmë.”
Në fund të fjalës së tij, kryeministri shprehu nderimet më të larta për të gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit shqiptar, duke përfunduar me thirrjen: “Lavdi Ilir Konushevcit – Mërgimit, Dr. Hazir Malaj dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!”