Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka propozuar një ulje të ndjeshme të tarifave doganore ndaj Kinës, pak para takimit të parë zyrtar ballë për ballë mes zyrtarëve amerikanë dhe kinezë që do të mbahet në Zvicër. Në një postim në platformën “Truth Social”, Trump sugjeroi që tarifa aktuale prej 145% të reduktohet në 80%.
“Ndaj Kinës duket e përshtatshme zbatimi i një tarife prej 80 për qind. Varet nga Scott Bessent”, shkroi Trump, duke iu referuar Sekretarit të Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, i cili do të udhëheqë delegacionin amerikan në bisedimet me palën kineze.
Takimi në Zvicër shënon një moment të rëndësishëm në përpjekjet për të zbutur tensionet tregtare mes dy fuqive ekonomike, pasi Trump vendosi tarifa të larta mbi mallrat kineze si pjesë e politikës së tij proteksioniste.
Delegacioni amerikan do të përbëhet nga Bessent dhe Përfaqësuesi i Tregtisë, Jamieson Greer, ndërsa pala kineze do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, He Lifeng.
Bisedimet pritet të fokusohen në tarifat dypalëshe, balancimin e marrëdhënieve tregtare dhe identifikimin e mundësive për një marrëveshje më të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve.