Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe zëvendësministrin Kreshnik Ahmeti, zhvilluan një takim me ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Takimi kishte si temë qendrore procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kryeministri Kurti theksoi se Kosova ka përmbushur kriteret ligjore dhe institucionale për anëtarësim, siç është konfirmuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe raportuesja për anëtarësimin e Kosovës. Ai shtoi se avancimi në këtë proces do të përforconte reformat demokratike dhe integrimin e Kosovës në vlerat evropiane, pavarësisht vështirësive politike. Kryeministri gjithashtu shprehu shqetësimin se vonesat në anëtarësim po pengonin qytetarët e Kosovës, përfshirë komunitetet joshumicë, nga qasja në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, një mekanizëm i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të individëve.
Në takim u diskutua gjithashtu për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe zhvillimet aktuale në vend.