Avokati i Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, zhvilloi një takim zyrtar me kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ku shprehu shqetësime serioze për funksionimin dhe praktikën e kësaj gjykate, përfshirë shkelje të të drejtave të të akuzuarve, mungesë të barazisë në proces dhe cenim të pavarësisë institucionale.
Takimi, i zhvilluar me kërkesë të vetë Trendafilovës, u mbajt dje në kushte të rrepta sigurie në Hagë, ndërsa konferenca për shtyp e paralajmëruar nga kryetarja e Speciales u anulua për arsye sigurie dhe për shkak të një proteste nga veteranët e UÇK-së.
Në një komunikatë zyrtare për media, zyra e Avokatit të Popullit bëri të ditur se Qelaj kishte ngritur një sërë shqetësimesh, duke filluar nga vazhdimi i paraburgimit, barazia e armëve në gjykim, përdorimi i provave të ofruara nga Serbia dhe kufizimi i privatësisë së të paraburgosurve përmes përgjimeve.
“Në mënyrë të veçantë, Avokati i Popullit vuri në dyshim besueshmërinë e provave të siguruara nga Republika e Serbisë, një shtet që vazhdon të ketë qëndrime armiqësore ndaj UÇK-së. Kjo ngre dyshime të mëdha për kredibilitetin dhe përdorimin e këtyre provave në proceset gjyqësore”, thuhet në deklaratë.
Qelaj e konsideroi gjithashtu të papranueshëm faktin që Dhoma Kushtetuese dhe Avokati i Popullit funksionojnë brenda strukturës së Dhomave të Specializuara, duke e cilësuar këtë si shkelje të parimeve të pavarësisë dhe ndarjes së pushteteve.
“Përfshirja e Avokatit të Popullit në strukturën e Dhomave është në kundërshtim me Parimet e Parisit, të cilat përcaktojnë se ky institucion duhet të jetë tërësisht i pavarur dhe i pandikuar nga çdo autoritet”, theksoi Qelaj.
Në takim u trajtua edhe çështja e përgjimeve të vizitave në qendrat e paraburgimit, që sipas Qelajt, cenojnë rëndë të drejtën për privatësi dhe ndihmën efektive ligjore, veçanërisht nëse ato prekin komunikimin mes të akuzuarve dhe avokatëve të tyre.
Gjithashtu, Avokati i Popullit theksoi se mungesa e besimit të Dhomave të Specializuara ndaj institucioneve të drejtësisë së Kosovës është e pajustifikueshme dhe sjell pasoja në zgjatjen e paraburgimit dhe në moszbatimin e masave alternative.
Në fund të takimit, Qelaj ngriti edhe një tjetër shqetësim – kompensimin e viktimave – duke deklaruar se nuk ekziston trajtim i barabartë për të dëmtuarit, krahasuar me rastet që gjykohen në gjykatat vendore në Kosovë.
“Pavarësisht kufizimeve të mandatit të tij në raport me Dhomat e Specializuara, Avokati i Popullit ka përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore të adresojë çdo problem që prek funksionimin e sistemit të drejtësisë”, thuhet në fund të komunikatës.
Qelaj i kërkoi Trendafilovës më shumë transparencë dhe qartësi ndaj publikut, duke e cilësuar këtë si një kërkesë legjitime dhe në shërbim të drejtësisë dhe vetë gjykatës.