Sot u përkujtua përvjetori i rënies heroike të dëshmorit të kombit, Bardhyl (Bejtulla) Osmani, i njohur ndryshe si Komandant Delta, një nga figurat qendrore të rezistencës shqiptare në Luginën e Preshevës dhe në Kosovë.
Komandant Delta ishte një nga luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB), i njohur për trimëri dhe përkushtim të palëkundur ndaj çështjes kombëtare. Para angazhimit në UÇPMB, ai mori pjesë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Pashtrik, ku shërbeu si snajperist.
Në radhët e UÇPMB-së, Osmani shërbeu me devotshmëri në Brigadën 113 “Ibrahim Fejzullahu”, ku udhëhoqi pikën strategjike të Shoshajës, në kuadër të kompanisë së III-të të batalionit të II-të. Ai mori pjesë në disa prej betejave më të rëndësishme të kësaj lufte, përfshirë ato në Shoshajë, Bukoc dhe Rahovicë.
Heroizmi i tij mbetet një frymëzim për brezat e rinj dhe një dëshmi e guximit të atyre që sakrifikuan jetën për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve.
Lavdi e përjetshme Komandant Deltës!