Pasivizimi, heqja apo fshirja e adresave të qytetarëve shqiptarë nga Medvegja, Bujanoci dhe Presheva po prodhon pasoja jashtëzakonisht të rënda, si në aspektin individual, ashtu edhe në atë kolektiv. Kjo praktikë po ndikon drejtpërdrejt në të drejtat elementare të qytetarëve shqiptarë që jetojnë ose kanë prejardhje nga kjo krahinë.
Nëse një person nuk posedon dokument identifikimi, atëherë ai konsiderohet si shtetas i huaj – por jo i Republikës së Serbisë – dhe, rrjedhimisht, nuk mund të kryejë asnjë veprim ligjor.
Një person në këtë pozitë është ligjërisht pa të drejtë për të filluar, kryer apo vazhduar veprime juridike, në kundërshtim me standardet dhe konventat ndërkombëtare të Bashkimit Evropian, si dhe me aktet e garantuara nga Karta e Kombeve të Bashkuara.
Nëse nuk je shtetas i Republikës së Serbisë, nuk mund të përfitosh dokumente nga gjendja civile, duke përfshirë letërnjoftimin apo dokumente të tjera identifikuese nga institucionet administrative.
Gjithashtu, në këtë dekadë të fundit, po vërehet një rënie e dukshme e pjesëmarrjes së shqiptarëve në zgjedhje lokale dhe parlamentare, çka reflektohet edhe në ndarjen e buxhetit dhe përfaqësimin institucional.
Nëse nuk je shtetas rezident, atëherë ndodhin këto pasoja:
-
Humb vendbanimin (adresën) në Republikën e Serbisë;
-
Humb të drejtën për qasje në kujdesin shëndetësor dhe shërbimet sociale;
-
Humb të drejtat civile, përfshirë të drejtën për të blerë apo shitur pronë;
-
Humb të drejtën për të regjistruar, trashëguar apo përfituar pronë të luajtshme dhe të paluajtshme;
-
Humb të drejtën për të përditësuar dokumentet si letërnjoftimi, pasaporta apo patentë-shoferi;
-
Humb të drejtën për të votuar apo për t’u zgjedhur;
-
Nuk mund të realizosh veprime të tjera financiare që lidhen me adresën e vendbanimit.
Nëse një qytetar rezulton pa adresë fizike, konsiderohet sipas praktikës ligjore si jo-rezident në Republikën e Serbisë.
Këto masa përbëjnë një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut – individuale dhe kolektive – të shqiptarëve të kësaj krahine, duke rrezikuar t’u merren pronat, shtëpitë e tokat.
Gjithashtu, qytetarët rrezikojnë të humbasin përdorimin e llogarive bankare, të drejtën për sigurime shëndetësore dhe shoqërore, ndonëse i kanë paguar ato ndër vite.
Serbia po zbaton një strategji të qartë e të heshtur shtetërore përmes së cilës po arrin të zbrazë zyrtarisht Medvegjën, Bujanocin dhe Preshevën nga shqiptarët.
Në këtë krahinë shqiptare që padrejtësisht vazhdon të jetë nën administrimin e Serbisë, shqiptarët po diskriminohen rëndë përmes pasivizimit sistematik të adresave.
Ky është një pastrim etnik i organizuar nga shteti.
Kjo Krahinë është ndër rajonet më të pazhvilluara dhe më të diskriminuara në gjithë Evropën. Dhe, mbi të gjitha, është një rajon pa status politik të zgjidhur – një pengesë e madhe për çdo zhvillim ekonomik, social e institucional.
✍️ Refik HASANI
Autori, përveç këtij vështrimi, ka paraqitur një punim më të gjerë në një konferencë shkencore, ku trajtohet pasivizimi i adresave si një formë e pastrimit etnik.