Ushtria izraelite ka filluar një ofensivë të re ushtarake në të gjithë Rripin e Gazës, duke shpallur nisjen e “operacioneve të gjera tokësore” dhe paralelisht duke lëshuar urdhra evakuimi për disa zona, nën paralajmërimin se do të jenë objekt i sulmeve të intensifikuara.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) konfirmuan të dielën në mbrëmje se kanë ndërmarrë sulme ajrore të koordinuara në disa pjesë të territorit palestinez, përfshirë edhe një goditje mbi një spital në veri të Gazës. Operacioni i ri ushtarak është emërtuar “Qerrja e Gideonit”.
Sipas raportimit të BBC, Izraeli thotë se objektivat kryesore të kësaj ofensive janë lirimi i pengjeve të mbajtura në Gaza dhe shkatërrimi i rrjeteve të Hamasit.
Zona të dendura si qyteti jugor Khan Younis dhe qytetet në veri, përfshirë Beit Lahia dhe kampin e refugjatëve Jabalia, kanë qenë ndër më të goditurat, sipas ekipeve të shpëtimit në terren.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, njoftoi se në 24 orët e fundit janë vrarë të paktën 67 persona, ndërsa 361 të tjerë janë plagosur si pasojë e bombardimeve.
Mbrojtja Civile në Gaza – shërbimi kryesor i emergjencës – konfirmoi gjithashtu se kampi al-Mawasi në jug, ku strehoheshin shumë persona të zhvendosur, është sulmuar gjatë natës së shtunës. Bilanci atje është 22 të vrarë dhe mbi 100 të plagosur.
Situata në Gaza mbetet kritike, me raportime për dëme të mëdha materiale, zhvendosje masive të civilëve dhe frikë në rritje për përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.