Në një lëvizje që mund të ndryshojë rrënjësisht balancat e sigurisë në Evropë, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, propozoi që Berlini të rrisë buxhetin e mbrojtjes në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Thirrja u bë gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Antalia të Turqisë, ku temë qendrore ishin sfidat e reja të sigurisë dhe kërcënimet nga Lindja.
Propozimi përfshin ndarjen e buxhetit në 3.5 për qind për qëllime të drejtpërdrejta ushtarake dhe 1.5 për qind për infrastrukturë të lidhur me mbrojtjen, duke reflektuar një përqasje të re strategjike nga qeveria e re gjermane. Ky zhvillim shihet si një përmbushje e pritshmërive të kahershme amerikane, sidomos të ish-presidentit Donald Trump, për një angazhim më të madh financiar të vendeve evropiane në NATO.
Gjermania përgatitet për një kthesë të madhe në politikën e mbrojtjes
Vetëm një ditë më parë, kancelari Friedrich Merz njoftoi synimin për të transformuar Bundeswehr-in në “ushtrinë më të fuqishme konvencionale të Evropës”. Aktualisht, Gjermania shpenzon rreth 2.1 për qind të PBB-së për mbrojtje, që për vitin 2024 përkthehet në afro 90 miliardë euro. Një rritje në 5 për qind do të kërkonte mbi 160 miliardë euro në vit, duke sjellë implikime të mëdha buxhetore.
Bundeswehr përbëhet nga rreth 182,000 trupa aktive, me objektiv për t’u rritur në të paktën 203,000 deri më 2031. Në diskutim janë edhe synime më ambicioze për të arritur 240,000 trupa. Modernizimi përfshin zëvendësimin e teknologjisë së vjetëruar, digjitalizimin dhe zhvillimin e kapaciteteve komanduese.
Valë e re militarizimi në Evropë
Propozimi i Gjermanisë vjen në një kohë kur shumë vende evropiane po rrisin ndjeshëm shpenzimet ushtarake:
-
Polonia, si bastioni lindor i NATO-s, tashmë shpenzon 4.12 për qind të PBB-së për mbrojtje. Ajo synon të dyfishojë trupat në 300,000 deri më 2035 dhe po modernizon arsenalin me tanke nga Koreja e Jugut dhe SHBA, raketa HIMARS, dronë dhe avionë F-35.
-
Franca, si fuqia e vetme bërthamore e BE-së, ndjek një strategji globale ushtarake dhe zotëron pajisje të avancuara, si aeroplanmbajtësja Charles de Gaulle dhe avionët Rafale të armatosur me armë bërthamore. Presidenti Macron ka paralajmëruar rritje të konsiderueshme të buxhetit për shkak të “kërcënimit rus”.
-
Britania e Madhe, me një fokus të fortë në teknologjinë e lartë, po synon të arrijë 2.4 për qind të PBB-së për mbrojtje. Ajo zotëron dy aeroplanmbajtëse dhe avionë F-35B, por numri i ushtarëve është ndër më të ulëtit në Evropë, me rreth 140,000 trupa aktive.
-
Italia mbetet prapa me 1.49 për qind të PBB-së për mbrojtje, por me ambicie të qarta për modernizim, përfshirë blerjen e më shumë se 1,000 tankeve nga kompania gjermane Rheinmetall. Strategjia italiane fokusohet në sigurinë e Mesdheut dhe rrugëve tregtare.
Renditja globale e fuqisë ushtarake mbetet e pandryshuar
Megjithë këto investime të mëdha, ekspertët parashikojnë se ekuilibrat globalë të fuqisë nuk do të ndryshojnë në afat të shkurtër. Sipas platformës “Global Firepower”, SHBA mbetet superfuqia ushtarake më e madhe, e ndjekur nga Rusia, Kina dhe India. Ndër vendet evropiane, Britania e Madhe renditet në vendin e gjashtë, Franca në të nëntin dhe Gjermania në të njëmbëdhjetin.
Vendimet përfundimtare në samitin e NATO-s në Hagë
Megjithëse iniciativa gjermane ka marrë mbështetjen e disa vendeve, vendimet përfundimtare për investimet e ardhshme priten në samitin e NATO-s në Hagë, që do të mbahet në fund të qershorit. Aty pritet të përcaktohet edhe vizioni i ardhshëm për mbrojtjen kolektive në Evropë dhe roli i NATO-s në përballjen me sfidat e reja globale.