Më shumë se 543 mijë euro mbeten të papaguara nga subjektet politike në Kosovë për shkeljet gjatë fushatës dhe zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, sipas të dhënave më të fundit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të përditësuara më 6 maj.
Në total, PZAP ka shqiptuar 146 gjoba, në një vlerë prej 651 mijë eurosh, për shkelje të ndryshme të legjislacionit zgjedhor. Sipas dokumentit zyrtar, pjesa dërrmuese e këtij borxhi mbetet e papaguar nga partitë kryesore parlamentare, pavarësisht kalimit të afatit ligjor prej 15 ditësh për pagesën.
Vetëvendosje dhe PDK, borxhlinjtë më të mëdhenj
Lista e borxhlinjve kryesohet nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka marrë 47 gjoba dhe nuk ka paguar asnjë cent nga 212 mijë eurot që i janë shqiptuar. Po ashtu, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka 28 gjoba me vlerë mbi 144 mijë euro, gjithashtu të papaguara.
Edhe koalicioni AAK-Nisma dhe të tjerët nuk ka kryer asnjë pagesë, ndonëse detyrimi i tyre arrin në mbi 72 mijë euro.
Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është subjekti që ka paguar shumën më të madhe deri tani – 65 mijë euro, por sërish ka mbi 71 mijë euro gjoba të mbetura pa u paguar.
Pasojat ligjore dhe kufizimet për ekzekutim
PZAP ka paralajmëruar se mospagesa e gjobave mund të ketë pasoja për certifikimin e subjekteve politike në zgjedhjet e ardhshme. Në bazë të nenit 16, paragrafi 13 të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka të drejtë të pezullojë procesin e aplikimit për certifikim për partitë që nuk i paguajnë gjobat e PZAP-it.
Megjithatë, ekzekutimi i gjobave përmes përmbarimit nuk është më i mundur. “Me ndryshimet në ligjin për procedurën përmbarimore, asnjë organ, përfshirë përmbaruesit privatë, nuk kanë më të drejtë t’i ekzekutojnë gjobat e shqiptuara nga organet administrative”, deklaroi Vullnet Bugaqku, Hulumtues i Lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), për RTV Dukagjini.
Mundësi për zbritje nga fondet publike të partive
Bugaqku sugjeron se, krahas Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), edhe KQZ-ja mund të veprojë për kthimin e borxhit. “Zyra për regjistrim të partive politike mund që për partitë parlamentare t’i zbresë këto gjoba nga fondi për mbështetjen e partive politike, varësisht nga lartësia e gjobës”, shpjegoi ai.
Burimi: RTV Dukagjini