Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informacionit dhe provave lidhur me mungesën e trajtimit të mbeturinave dhe situatën e krijuar në Komunën e Prishtinës, pas mos grumbullimit të tyre.
Në një komunikatë për media, Prokuroria ka njoftuar se Prokurori i Shtetit, në cilësinë e Koordinatorit kundër krimeve mjedisore në Prishtinë, ka kërkuar nga njësia për hetimin e krimeve mjedisore që të ndërmerren veprimet e nevojshme për të hetuar veprën penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit”.
Prokuroria Themelore ka theksuar se mbetet e përkushtuar për zbatimin e ligjit dhe trajtimin me prioritet të çështjeve që lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe interesin publik. Hetimet janë nisur për të vlerësuar shkakun dhe pasojat e situatës, ndërkohë që autoritetet kanë për qëllim të sigurojnë ndëshkimin e çdo shkelësi të ligjit mjedisor.