Më 25 maj nis zyrtarisht stërvitja shumëkombëshe “Defender Europe 25”, e organizuar dhe drejtuar nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara (USEUCOM). Kjo stërvitje ushtarake, një nga më të mëdhatë dhe më komplekset në dekadat e fundit, do të zgjasë deri më 9 qershor dhe do të zhvillohet në disa shtete të Evropës dhe Afrikës, me Shqipërinë si pikënisje kryesore.
“Defender Europe 25” synon forcimin e gatishmërisë luftarake, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe aftësisë për veprim të përbashkët të forcave amerikane, aleatëve të NATO-s dhe vendeve partnere. E ndërtuar mbi skenarin e Nenit 5 të NATO-s – që parashikon mbrojtjen kolektive në rast të një sulmi ndaj njërit prej anëtarëve – stërvitja simulon reagime ndaj kërcënimeve të përbashkëta në një kontekst të krizës ndërkombëtare.
Në kuadër të “Defender Europe 25”, do të zhvillohen ushtrime të avancuara luftarake, duke përfshirë mbrojtjen e infrastrukturës kritike, sigurimin e pikave të imbarkimit, si dhe operacione mësymëse dhe mbrojtëse në rajone strategjike të Shqipërisë dhe Kosovës.
Përmes kësaj stërvitjeje, SHBA dhe aleatët e saj dërgojnë një mesazh të qartë për angazhimin e përbashkët ndaj sigurisë dhe stabilitetit të rajonit euroatlantik.