Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur sot në selinë e partisë Ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini. Takimi është cilësuar si një mundësi e mirë për të thelluar raportet dypalëshe dhe për të diskutuar zhvillimet aktuale politike në vend.
“Italia ka qenë gjithmonë një mike e madhe e Kosovës – në çlirim, në shtetndërtim dhe në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Këtë miqësi e vlerësojmë thellësisht dhe duam ta forcojmë më tej,” deklaroi Krasniqi pas takimit.
Gjatë bisedës me ambasadorin Antonini, lideri i PDK-së theksoi nevojën urgjente për kapërcimin e bllokadës institucionale, duke vënë në pah se qytetarët po përballen me sfida të mëdha dhe kanë nevojë për institucione funksionale dhe vendimmarrje konkrete.
Në fund, Krasniqi ritheksoi gatishmërinë e PDK-së për dialog dhe bashkëpunim me të gjithë faktorët, si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë, duke theksuar se “PDK ka dëshmuar se është gjithmonë e gatshme për komunikim – për të mirën e vendit dhe qytetarëve tanë.”
Takimi me ambasadorin Antonini vjen në një kohë vendimtare për skenën politike në Kosovë, me theks të veçantë në nevojën për zgjidhje institucionale dhe rikthim të funksionalitetit demokratik.