Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet I.P., për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, e paraparë sipas nenit 141, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Aktakuza është dorëzuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria ka propozuar që ndaj të pandehurit të shqiptohet masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, duke marrë parasysh gjendjen e tij mendore në kohën e kryerjes së veprës penale.
Ngjarja për të cilën akuzohet I.P. ka ndodhur më 3 mars 2025, në afërsi të Teqes “Saraçhane” në Prizren, ku sipas aktakuzës, ai ka kryer një veprim që ka nxitur urrejtje ndërfetare: ai ka grisur dhe shpërndarë në tokë librin e shenjtë të myslimanëve, Kuranin, duke shkaktuar reagime të ashpra dhe shqetësim në mesin e komunitetit islam.
Hetimet kanë konfirmuar se veprimi i të pandehurit ka cenuar rëndë bashkëjetesën ndërfetare dhe ka ndikuar në përhapjen e ndasive dhe mosdurimit mes grupeve me bindje të ndryshme fetare.
Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që I.P. të shpallet fajtor dhe t’i shqiptohet masa e përmendur e trajtimit psikiatrik në liri, duke argumentuar se në kohën e kryerjes së veprës penale, aftësia e tij për të gjykuar dhe kontrolluar veprimet ishte e zvogëluar në mënyrë thelbësore.
Rasti mbetet në shqyrtim nga organet kompetente, ndërsa seanca gjyqësore pritet të caktohet në ditët në vijim.