Një aksident trafiku është regjistruar mëngjesin e së martës në autostradën “Ibrahim Rugova”, në afërsi të fshatit Duhël të Suharekës, ku janë përfshirë një kamion dhe dy automjete. Si pasojë e përplasjes, tre persona kanë pësuar lëndime trupore.
Lajmin e ka konfirmuar për media zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili bëri të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 09:20, ndërsa përkohësisht është bllokuar qarkullimi në magjistralen Suharekë–Duhël.
“Si pasojë e aksidentit tre persona kanë pësuar lëndime trupore, të cilët me autoambulancë janë dërguar për trajtim mjekësor. Autostrada Suharekë-Duhël ka qenë e bllokuar përkohësisht. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, të cilat janë marrë me hetimin e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit,” ka deklaruar Hoxha.
Sipas Policisë, rruga është liruar tashmë për qarkullim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vijim.