Punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” kanë paralajmëruar një tjetër protestë për ditën e enjte, më 22 maj, para objektit të Komunës së Prishtinës, si shenjë pakënaqësie ndaj situatës së rëndë financiare me të cilën po përballet ndërmarrja.
Protesta, e cila është paralajmëruar si tubim paqësor, do të nisë në orën 07:00 të mëngjesit, dhe sipas njoftimit për media, ajo ka për qëllim të rrisë presionin ndaj komunës për shlyerjen e obligimeve financiare, që sipas punëtorëve, kanë çuar ndërmarrjen buzë kolapsit ekonomik.
“Qëllimi i grevës është shprehja e pakënaqësisë dhe kërkesa për zgjidhje emergjente ndaj situatës së rëndë financiare ku është futur ndërmarrja jonë, si pasojë e mosshlyerjes së obligimeve financiare nga Komuna”, thuhet në deklaratën zyrtare të kompanisë.
Detajet e protestës:
-
Pjesëmarrës: Rreth 300 punëtorë të KRM “Pastrimi” pritet të marrin pjesë në protestë.
-
Vendndodhja: Përreth ndërtesës së Komunës së Prishtinës.
-
Mjetet: Do të përdoren rreth 20 kamionë, të cilët do të parkohen në mënyrë të rregullt, pa penguar rrugët emergjente apo qarkullimin.
-
Forma: Greva do të jetë paqësore, pa ndërhyrje në punën e institucioneve dhe në koordinim me autoritetet policore.
Kjo është protesta e radhës nga punëtorët e “Pastrimi”-t, të cilët po kërkojnë reagim të menjëhershëm nga institucionet komunale për të zhbllokuar krizën financiare dhe për të garantuar funksionimin e ndërmarrjes publike të pastrimit në kryeqytet.