Shqipëria dhe Bashkimi Evropian zhvillojnë sot Konferencën e pestë Ndërqeveritare, ku do të hapet grupkapitulli i tretë i negociatave për anëtarësimin e vendit në BE. Ky kapitull i ri fokusohet në temën: “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”, dhe përfshin tetë fusha kyçe që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Delegacioni shqiptar në këtë konferencë do të kryesohet nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ndërsa nga ana e Bashkimit Evropian pritet pjesëmarrja e përfaqësuesve të lartë të Komisionit Evropian dhe Këshillit të BE-së.
Tetë fushat e kapitullit të tretë:
-
Kapitulli 10: Transformimi Digjital dhe Media
-
Kapitulli 16: Tatimet
-
Kapitulli 17: Politika Ekonomike dhe Monetare
-
Kapitulli 19: Politika Sociale dhe Punësimi
-
Kapitulli 20: Ndërmarrjet dhe Politika Industriale
-
Kapitulli 25: Shkenca dhe Kërkimi
-
Kapitulli 26: Arsimi dhe Kultura
-
Kapitulli 29: Bashkimi Doganor
Hapja e këtij grupkapitulli konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt përafrimit të Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian, duke ndihmuar në modernizimin e ekonomisë, përmirësimin e arsimit, nxitjen e inovacionit dhe rritjen e mirëqenies sociale.
Përparimi i deritanishëm:
Në më pak se një vit, Shqipëria ka arritur të hapë negociatat për 27 kapituj, ndërsa konferenca e katërt ndërqeveritare, e mbajtur më 14 prill në Luksemburg, shënoi hapjen e grupkapitullit për Tregun e Brendshëm.
Qeveria shqiptare ka përcaktuar një afat ambicioz për integrimin evropian, duke synuar:
-
Hapjen e të gjithë grupkapitujve deri në vitin 2025
-
Përmbylljen e negociatave deri në vitin 2027
-
Anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030
Ky ritëm progresi është përshëndetur nga zyrtarë të BE-së, të cilët e konsiderojnë Shqipërinë një partnere të përkushtuar në procesin e zgjerimit.