Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësimin e thellë pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili detyron rreth 1300 biznese që nga 1 qershori 2025 të dalin nga furnizuesi universal dhe të përballen me një rritje të çmimit të energjisë elektrike për 16.10%.
Në takimin e rregullt të Bordit udhëheqës të AKB-së, u theksua se ky vendim është i papranueshëm dhe ka pasoja të drejtpërdrejta për sektorin privat. Sipas AKB-së, ky vendim godet veçanërisht prodhuesit dhe ofruesit e shërbimeve vendore, të cilët tashmë po përballen me sfida të mëdha financiare dhe një treg të pasigurt. Rreth 50 milionë euro shtesë në vit do të duhet të paguhen nga bizneset vetëm për energjinë, një kosto që do të kalojë drejtpërdrejt te qytetarët e Kosovës përmes rritjes së çmimeve dhe humbjes së vendeve të punës.
Kërkesat e AKB-së:
-
Shtyrja urgjente e këtij vendimi për të paktën një vit.
-
Përfshirja e bizneseve në konsultimet vendimmarrëse, duke u mundësuar atyre një rol aktiv në proceset që ndikojnë në zhvillimin e sektorit privat.
Në rast të mosveprimit nga ZRRE, AKB ka paralajmëruar se do të ndërmarrë protesta të ashpra demokratike për të mbrojtur interesat e bizneseve dhe punonjësve të Kosovës. Aleanca theksoi se ky vendim, nëse zbatohet, do të ketë pasoja të rënda ekonomike për vendin dhe do të rrisë pasigurinë në sektorin privat.