Klubi i njohur italian, AC Milan, ka emëruar ish-futbollistin shqiptar Igli Tare si drejtorin e ri sportiv të klubit. Sipas raportimeve të “Tuttomercatoweb”, Tare ka firmosur tashmë kontratën që do ta lidhë me kuqezinjtë për dy sezonet e ardhshme, me opsion për një të tretë. Marrëveshja përfshin një pagë vjetore prej 800 mijë eurosh.
Njoftimi zyrtar nga klubi pritet të bëhet publik në orët e ardhshme, ndërsa prezantimi për mediat do të mbahet të hënën. Emërimi i Tares shihet si një hap strategjik nga drejtuesit e Milanit për të fuqizuar menaxhimin sportiv përpara sezonit të ri, i cili pritet të shënojë një rilindje të projektit kuqezi pas luhatjeve të viteve të fundit.
Vetë Tare, i pyetur ditë më parë për kontaktet me Milanin, kishte lënë të kuptohej se një bashkëpunim ishte më shumë se i mundshëm. “Milani është një objektiv për këdo. Do të ishte një nder të punoja për një klub historik si ky. Jam përpjekur gjithmonë të përfaqësoj vendin tim dhe të jem një shembull për shumë italianë. Jam gjysmë italian, kam një pasaportë italiane dhe e mbaj me krenari. Jam shumë mirënjohës ndaj jush,” deklaroi Tare.
Pas një përvoje të gjatë dhe të suksesshme te Lazio, emërimi i Tares te Milani pritet të sjellë një qasje të re dhe të përqendruar në ndërtimin e një skuadre konkurruese në nivel europian.