E shtuna do të karakterizohet nga një përkeqësim i dukshëm i kushteve atmosferike në gjithë rajonin. Moti pritet të jetë ndjeshëm më i ftohtë, me vranësira të dendura dhe reshje të herëpashershme lokale shiu. Temperaturat do të pësojnë një ulje të ndjeshme, duke sjellë reshje bore në zonat më të larta malore.
Kosova:
Reshjet më intensive priten në jug dhe lindje të vendit, si dhe në disa pjesë qendrore. Në pjesët tjera reshjet do të jenë më të pakta për shkak të zhvendosjes së presionit të ulët nga Afrika veriore drejt jugut në Greqi dhe lindjes në drejtim të Bullgarisë dhe Rumanisë, ku parashikohen stuhi të fuqishme, rrebeshe intensive dhe rrezik për vërshime.
Shqipëria:
Moti do të jetë plotësisht i vranët në të gjithë territorin, me reshje lokale shiu. Në pjesët qendrore të vendit, lindje dhe veçanërisht në juglindje priten rrebeshe të fuqishme shiu të shoqëruara me shtrëngata dhe mundësi për breshër.
Maqedonia e Veriut:
Reshje të dendura priten në jugperëndim dhe verilindje të vendit, ndërsa në pjesët tjera të territorit reshjet do të jenë kryesisht lokale.
Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe veriu i Shqipërisë:
Pritet mot i ftohtë dhe kryesisht i thatë, me ndonjë rigë të dobët shiu në zona të izoluara. Ngjashëm do të jetë edhe në veri dhe perëndim të Kosovës.