Kryeministri Edi Rama ka folur për vizionin e tij për të ardhmen e Shqipërisë gjatë një interviste me Richard Attias, një prej organizatorëve të Forumit Ndërkombëtar për Iniciativën e Investimeve të Ardhshme (FII), i mbajtur në Tiranë. Gjatë bisedës, Rama theksoi se Shqipëria nuk ka për qëllim të imitojë përpikërinë zvicerane, por synon të ndërtojë një model të vetin, të ngjashëm me “një Itali të re”.
“Shqipëria nuk mund të bëhet një orë zvicerane, dhe ndoshta është më mirë kështu. Nëse do ishim kaq të përsosur, do ishim një vend tmerrësisht i mërzitshëm”, tha Rama me humor.
Kreu i qeverisë theksoi se vizioni i tij është që Shqipëria të shndërrohet në një destinacion ku vizitorët gjejnë mikpritje, ushqim të mirë dhe një atmosferë të ngrohtë.
“Do preferoja një ‘Itali të re’, ku gjen mundësi, kënaqësinë e mikpritjes, të ushqimit, por ku nuk e humbet buzëqeshjen”, tha ai.
Rama bëri një përshkrim të pasur të natyrës dhe potencialit turistik të Shqipërisë, duke e cilësuar vendin si “një perlë të vogël me peizazhe të larmishme”.
“Ky vend ka një territor të vogël prej vetëm 28 mijë kilometra katrorë, por përmban gjithçka: dy dete, male, nëntë lumenj, liqene, dhe peizazhe që ndryshojnë nga kilometri në kilometër. Është një vend për t’u vizituar, për të qëndruar dhe për të investuar”, tha ai.
Kryeministri theksoi gjithashtu sfidën e tejkalimit të stigmës që ka ndjekur vendin për dekada, duke përmendur përparimin e bërë në turizëm. Ai përmendi shifrën rekord prej 12 milionë turistësh të regjistruar vitin e kaluar, duke e cilësuar si një arritje të jashtëzakonshme për një vend me një popullsi prej 2.4 milionë banorësh.
Duke folur për të ardhmen, Rama theksoi nevojën për balancim mes zhvillimit masiv dhe cilësisë në turizëm.
“Duhet të vendosim një ekuilibër mes masives dhe cilësores. Nëse nuk e bëjmë, mund të humbim jo vetëm mundësinë për të qenë Zvicra, që ndoshta nuk e kemi, por edhe shansin për të qenë një Itali e re”, përfundoi Rama.
Forumi FII në Tiranë ka shënuar një moment të rëndësishëm për promovimin e Shqipërisë si destinacion për investime dhe zhvillim në rang global.