Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar të hënën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, gjatë vizitës së saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas njoftimit nga Zyra e Presidentes, në fokus të takimit ka qenë situata e sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe roli i vazhdueshëm i misionit të NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.
“Bisedova me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Mark Rutte, lidhur me situatën e sigurisë në vendin tonë, si dhe rolin e rëndësishëm të NATO-s në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon”, thuhet në deklaratën e Presidentes Osmani.
Në vijim të komunikatës, theksohet se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në NATO, duke e konsideruar këtë proces si kyç për një të ardhme të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit.
Takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s është pjesë e një sërë aktivitetesh dhe takimesh që Presidentja Osmani po zhvillon në kuadër të vizitës së saj në SHBA.