Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot për të 22-ën herë në përpjekje për të konstituuar legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Seanca është planifikuar të nisë në orën 11:00, mes një ngërçi të zgjatur institucional që po vazhdon prej më shumë se tre muajsh.
Herën e fundit, më 25 maj, dështoi për të 13-ën herë formimi i një komisioni ad hoc për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Ky mekanizëm u propozua që më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, por mbetet i kontestuar. Çështja është tashmë në duart e Gjykatës Kushtetuese, pasi u sfidua nga partitë opozitare të legjislaturës së kaluar.
Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve, vazhdon të qëndrojë pas kandidaturës së saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiut. Por mungesa e mbështetjes nga partitë e tjera po pengon përparimin. Këto subjekte politike kanë kërkuar që LVV të propozojë një figurë konsensuale, por partia ka refuzuar të tërhiqet nga emri i Haxhiut, duke theksuar se si fituese e zgjedhjeve ka të drejtën ekskluzive të propozimit.
“Përkundër përpjekjeve për një marrëveshje politike, kandidatura jonë mbetet Albulena Haxhiu,” kanë deklaruar zyrtarë të LVV-së, duke e cilësuar atë si një emër të merituar dhe të pakontestueshëm nga ana e tyre.
Ndërkohë, më 15 maj, pas një takimi të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani me liderët e partive politike, u bë e ditur se nuk kishte pajtim për zhbllokimin e situatës. Megjithatë, Osmani vuri në dukje ekzistencën e një “disponimi minimal” për zgjidhje, ndonëse pa rezultate konkrete.
Për t’u konstituuar Kuvendi, deputetët duhet të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët. Vetëm pas këtij hapi institucional mund të fillojë procesi i formimit të Qeverisë së re.
Ngërçi aktual ka thelluar shqetësimet për një krizë të re politike në vend dhe për vonesa të mëtejshme në funksionalizimin e institucioneve.