Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka refuzuar të komentojë deklaratat e fundit të liderit të Nismës, Fatmir Limaj, lidhur me një koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje.
Gjatë një deklarate për media para Kuvendit të Kosovës, Haradinaj u shpreh se kjo temë nuk është më relevante për të.
“S’kam ndonjë koment, s’po më kujtohet asgjë… A keni ndonjë pyetje tjetër, kjo nuk është diçka relevante. Çdo gjë që lidhet me këta është e kaluar,” tha ai.
Ai vuri në dukje se fokusi aktual i AAK-së është bllokimi i punimeve të Kuvendit dhe zgjidhja e krizës institucionale.
“Jemi para parlamentit. Jemi në bllokim të seancës. Sikurse e dini, ne në takt tonin si aleancë i kemi dhënë dy zgjidhje që mos të mbetemi të bllokuar siç kemi mbetur tash e sa kohë,” theksoi Haradinaj.
Sipas tij, AAK-ja ka ofruar dy alternativa për tejkalimin e situatës: mbështetjen e një kandidati të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit, përmes një marrëveshjeje të përbashkët me votë, si dhe adresimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
“Së pari kemi dhënë mundësinë të votojmë një kandidat të LVV-së, por që na bashkon me votë, kemi dhënë emra. Po ashtu, e kemi bërë edhe një veprim të dytë – ou [u] kemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese, me qëllim që të dalim nga kjo gjendje,” shtoi Haradinaj.
Kujtojmë se në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj garuan së bashku në një koalicion parazgjedhor.