Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka kërkuar nga qeveria izraelite që të ndalë menjëherë përshkallëzimin e dhunës në Rripin e Gazës, duke e cilësuar intensifikimin e sulmeve si të pajustifikueshëm në bazë të ligjit humanitar dhe ndërkombëtar.
Deklarata e saj erdhi pas një bisede me Mbretin Abdullah II të Jordanisë, me të cilin diskutoi për situatën e rënduar humanitare në Gaza dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar. Gjatë takimit, Von der Leyen dënoi ashpër sulmet që godasin infrastrukturën civile dhe vrasin civilë të pafajshëm, përfshirë fëmijë. Ajo përmendi veçanërisht sulmin në një shkollë ku ishin strehuar familje palestineze, nga i cili u raportua se mbetën të vrarë 33 persona.
“Komisioni Evropian gjithmonë ka mbështetur të drejtën e Izraelit për siguri dhe vetëmbrojtje, por përdorimi joproporcional i forcës nuk mund të justifikohet”, deklaroi Von der Leyen. Ajo e cilësoi si “të neveritshëm” zgjerimin e operacioneve që synojnë objektiva civile.
Presidentja e Komisionit bëri thirrje edhe për lirimin e menjëhershëm të pengjeve të marra nga grupet palestineze gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023, si dhe për heqjen e bllokadës mbi ndihmat humanitare për Gazën.
“Izraeli duhet të rifillojë menjëherë shpërndarjen e ndihmës humanitare në përputhje me parimet ndërkombëtare, duke përfshirë Kombet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë humanitarë”, tha ajo.
Në të njëjtën linjë me Mbretin Abdullah, Von der Leyen ritheksoi mbështetjen për planin e vendeve arabe që synon rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Gazës, duke theksuar se nuk duhet të ketë zhvendosje të detyruar të palestinezëve.
Në fund të bisedës, të dy liderët shprehën shqetësim për përkeqësimin e situatës në Bregun Perëndimor dhe rikonfirmuan angazhimin për një zgjidhje me dy shtete si e vetmja rrugë drejt një paqeje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.