Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shprehur besimin se edhe në Kosovë do të vijë dita kur prokurorë të rinj me guxim dhe integritet do të marrin përgjegjësinë për të hetuar dhe ndëshkuar korrupsionin – pa përjashtim, përfshirë edhe ata që janë në pushtet.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Abdixhiku theksoi se “edhe në Kosovë, sikurse në çdo vend tjetër evropian, do të lindin prokurorë që nuk do të kenë frikë të trajtojnë secilin akt korruptiv”, duke vënë theks të veçantë tek përgjegjësia për t’u përballur me korrupsionin në radhët e pushtetarëve.
“Sidomos atë të pushtetarëve,” shkruan ai, duke shtuar se “atë ditë do të mburremi të gjithë – me shtetin tonë, me arritjet tona; me integritetin e njerëzve që i shërbejnë popullit të tyre pa frikë.”
Abdixhiku kritikoi ashpër mbrojtjen politike që i bëhet korrupsionit, duke e quajtur të pavlefshme çfarëdo përpjekjeje për të arsyetuar apo mbrojtur hajnitë vetëm sepse janë kryer nga “të tyret”.
Në përmbyllje të mesazhit të tij, ai shprehu shpresën se një “epokë e re” është duke nisur në Kosovë – një epokë ku drejtësia do të funksionojë pa ndikim politik, dhe ku pasuria e vjedhur do të kthehet deri në qindarkën e fundit.
“Paret e vjedhura nga ata që e shohin veten mbi shtet, ligj e vend, do të kthehen cent më cent. Nga të gjithë!” përfundon Abdixhiku.