Policia italiane ka vënë në pranga në aeroportin Malpensa të Milanos një 45-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dyshuar si kreu i një rrjeti të fuqishëm ndërkombëtar të trafikut të drogës.
Sipas mediave italiane, i arrestuari ishte në arrati që prej nëntorit të vitit të kaluar dhe ishte strehuar në Shqipëri për të shmangur ndjekjen penale. Ai u kap në momentin që sapo kishte zbritur në Itali, pas një fluturimi nga Shqipëria.
Hetimet e zhvilluara nga autoritetet italiane zbuluan se 45-vjeçari kishte një rol qendror në një organizatë kriminale ndërkombëtare, e cila merrej jo vetëm me trafikun e drogës, por edhe me mashtrime të sofistikuara financiare.
Përmes një skeme të ndërlikuar mashtrimi me TVSH-në, grupi kriminal ka shkaktuar dëme të mëdha financiare ndaj shtetit italian – në një vlerë të përllogaritur rreth 600 milionë euro.
I arrestuari pritet të përballet me akuza të rënda për përfshirje në organizatë kriminale, trafik ndërkombëtar droge dhe mashtrim financiar.
Autoritetet italiane po vazhdojnë hetimet për të identifikuar bashkëpunëtorët e tjerë të rrjetit dhe për të zbuluar shtrirjen ndërkombëtare të aktivitetit kriminal.