Një ndryshim i qartë në qëndrimin diplomatik të Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë është bërë i dukshëm në debatin e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku përfaqësuesi amerikan kritikoi hapur Moskën për agresionin në Ukrainë dhe paralajmëroi masa të reja ndëshkuese në rast të mungesës së bashkëpunimit për paqe.
Zëvendësambasadori amerikan në detyrë, John Kelley, theksoi se “lufta është një gabim strategjik” dhe se SHBA-të nuk përjashtojnë sanksione të reja ndaj Rusisë nëse kjo e fundit vazhdon të refuzojë rrugën diplomatike. Ai denoncoi gjithashtu sulmet e fundit të ushtrisë ruse ndaj objektivave civile në Ukrainë, duke paralajmëruar se një mungesë vullneti nga Moska mund të çojë në tërheqjen e përpjekjeve amerikane për ndërmjetësim.
“Nëse Rusia merr vendimin e gabuar, Shtetet e Bashkuara mund të detyrohen të braktisin përpjekjet e tyre për të negociuar. Më lejoni të jem i qartë: kjo nuk do të thotë braktisje e parimeve tona apo e miqve tanë, por një pranimi i faktit se Rusia refuzon të bashkëpunojë”, tha Kelley.
Ky është një prej qëndrimeve më të ashpra të administratës së presidentit Donald Trump në Këshillin e Sigurimit, duke shënuar një kthesë krahasuar me përmbajtjen që kishte karakterizuar deklaratat e mëparshme amerikane, sidomos gjatë muajve të parë të mandatit të ri presidencial.
Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, reagoi duke akuzuar Kievin për mashtrim të Uashingtonit me qëllim për të shmangur përfshirjen amerikane në negociata. Ai përsëriti pretendimet për korrupsion në qeverinë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe për përvetësim të ndihmës perëndimore, ndërsa mohoi se sulmet ruse kanë pasur në shënjestër civilët.
“Objektivat e sulmeve janë objektet ushtarako-industriale. Dëmet në infrastrukturë dhe ndërtesa banimi janë rezultat i vendosjes së sistemeve të mbrojtjes ajrore pranë zonave të banuara nga pala ukrainase – një praktikë që shkel ligjin ndërkombëtar humanitar”, u shpreh Nebenzia.
Zhvillimet diplomatike dhe thirrjet për paqe
Ambasadori slloven Samuel Žbogar, në një fjalim të balancuar, theksoi se “shpresa për negociata është mezi e gjallë”, duke shtuar se Ukraina është e gatshme të heshtë armët, por Rusia ende jo. Ai mirëpriti çdo kontakt ndërmjet palëve ndërluftuese, përfshirë bisedimet në Stamboll dhe shkëmbimin e të burgosurve, ndonëse rezultatet kanë qenë të kufizuara.
Zëvendësambasadorja ukrainase Kristina Hajovishin kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin mbi Moskën përmes sanksioneve të reja, duke përsëritur se “integriteti territorial i Ukrainës nuk është për negociata”.
Ndërkohë, Rosemary DiCarlo, nënsekretare e përgjithshme e OKB-së për çështjet politike, kujtoi një rezolutë të miratuar më herët nga Këshilli i Sigurimit si përpjekje për një zgjidhje diplomatike. Ajo u shpreh se ajo shpresë është zëvendësuar nga zhgënjimi, ndërsa vuajtjet e popullit ukrainas po vazhdojnë.
Krizë humanitare në rritje
Lisa Doughten, drejtoreshë e Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), deklaroi se mbi 5,000 persona janë zhvendosur brenda një jave, ndërsa që nga fillimi i luftës më shumë se 3.7 milionë persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Ajo ngriti shqetësimin për mbi 1.5 milion fëmijë në territoret e pushtuara nga Rusia që nuk kanë akses në ndihmë humanitare.
Doughten nënvizoi se Ukraina ka nevojë për 2.5 miliardë dollarë ndihmë humanitare për vitin 2025, por deri më tani donatorët kanë kontribuar vetëm 25% të kësaj shume.