Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka folur për sfidën e shumëpritur ndaj Serbisë në një intervistë për Top Channel me gazetarin Endi Tufa, duke theksuar rëndësinë e organizimit, qëllimin për një rezultat pozitiv dhe frymën sportive që duhet të shoqërojë ndeshjen.
“Detyra jonë është ta organizojmë mirë, ta luajmë mirë dhe të marrim 3 pikët,” – u shpreh Duka. “Kam besim që do të ketë një atmosferë sportive, por padyshim të luftuar sportivisht.”
Kreu i FSHF-së shtoi se përkundër ngarkesës emocionale që e shoqëron këtë përballje, skuadra do të përpiqet të ruajë fokusin vetëm te loja.
“Jemi të gjithë qenie njerëzore dhe ndikohemi nga ambienti. Por detyra jonë është të mendojmë vetëm për futbollin, për të bërë punën tonë mirë në fushë,” – theksoi ai.
Rëndësia e fitores dhe objektivi i vendit të dytë
I pyetur nëse kjo sfidë përbën një “finale” për objektivat e Shqipërisë në grup, Duka u shpreh se një fitore do të ishte thelbësore për shpresat drejt vendit të dytë.
“Tre pikët ndaj Serbisë do të na jepnin shumë arsye për të vazhduar garën me besim. Por edhe nëse fitojmë, nuk e kemi siguruar vendin e dytë – gjithçka varet nga ecuria në vijim,” – deklaroi ai.
Duka vlerësoi edhe cilësitë e skuadrës serbe, por theksoi se Shqipëria ka avantazhin e kohezionit dhe shpirtit të skuadrës.
“Serbia ka futbollistë me emra të mëdhenj dhe vlerë të lartë në treg, por në aspektin ekipor, unë besoj se Shqipëria ka një skuadër më të mirë,” – tha ai.
Shpërndarja e biletave: Pse u përdor shorti kompjuterik
Presidenti i FSHF-së komentoi edhe mbi metodën e ndarjes së biletave për këtë ndeshje të ndjeshme, që u bë përmes një shorti elektronik. Ai garantoi se ky ishte një proces i drejtë dhe i ndjekur sipas standardeve të UEFA-s.
“Kur kërkesa është 20 apo 30 fish më e madhe, çdo metodë tjetër do të ngjallte dyshime. Ky short i rastësishëm është i njëjti sistem që përdor UEFA për Europianin dhe Champions League. Në të kundërt, njerëzit do të duhej të rrinin për orë të tëra online dhe gjithsesi do kishte më shumë pakënaqësi,” – argumentoi Duka.