Sot në Tetovë po mbahet forumi rajonal me temë “Qeverisja e mirë dhe bashkëpunimi ndërinstitucional në zonat e mbrojtura në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë qeveritarë dhe organizatave mjedisore nga rajoni.
Në këtë forum merr pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë së Veriut, z. Izet Mexhiti, i cili theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal për mbrojtjen e pasurive natyrore.
Fokus në qeverisjen e mirë dhe bashkëpunimin ndërkufitar
Forumi, i organizuar nga organizata CNVP – Ndërlidhja e Vlerave Natyrore dhe Njerëzve, synon të krijojë ura bashkëpunimi mes parqeve kombëtare, komunave, njësive rajonale dhe institucioneve relevante, me qëllim përmirësimin e situatës mjedisore dhe forcimin e qeverisjes në zonat e mbrojtura.
Përmes diskutimeve ndërinstitucionale, pjesëmarrësit do të ndajnë praktikat më të mira në menaxhimin e zonave të mbrojtura dhe ruajtjen e biodiversitetit, në një rajon me vlera të jashtëzakonshme ekologjike si Sharra, Korab-Koritniku dhe Alpet Shqiptare.
Mbështetje ndërkombëtare për mjedisin
Ngjarja mbështetet financiarisht nga Fondacioni PONT (Prespa Ohrid Nature Trust), në kuadër të projektit “Përdorimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore në Sharr, Korab-Koritnik dhe Alpet Shqiptare”, që synon nxitjen e menaxhimit të qëndrueshëm të natyrës në këto rajone të ndjeshme dhe me rëndësi ndërkufitare.