Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet e audituara të pasqyrave financiare të partive politike për vitin 2024, të përpiluara nga auditorë të pavarur. Sipas këtyre raporteve, disa nga partitë më të mëdha në vend janë përballur me gjetje të rëndësishme që ngrenë dyshime për transparencën dhe përputhshmërinë ligjore në administrimin e fondeve publike dhe private.
Vetëvendosje me shpenzime pa dokumentacion dhe të hyra të padeponuara
Auditori ka evidentuar mangësi serioze në raportin financiar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Janë gjetur raste kur për shpenzime të ndryshme janë përdorur vetëm kupona fiskalë, pa fatura zyrtare të lëshuara në emër të partisë, duke cënuar parimet e dokumentimit të shpenzimeve.
Një tjetër shqetësim ka të bëjë me një shumë prej 493.50 euro, të pranuara nga anëtarësimet gjatë vitit 2024, e cila nuk është derdhur në llogarinë bankare të partisë. Edhe pse kjo shumë përfaqëson vetëm 0.03% të të hyrave totale, ajo përbën shkelje të Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike, sipas auditorit.
PDK me opinion të kualifikuar: Pronësi e paqartë dhe mungesë prokurimi
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë opinion të kualifikuar për menaxhimin e saj financiar. Në raportin e auditimit thuhet se janë deklaruar shpenzime për qira dhe kontribute në natyrë në vlerë prej 2,900 euro për një objekt në Gjilan, pa ndonjë dokument që vërteton pronësinë ose të drejtën e shfrytëzimit të tij.
Gjithashtu, PDK nuk ka zbatuar procedura të tenderimit për furnizime dhe shërbime të blera, duke rritur rrezikun për keqpërdorime dhe mungesë efikasiteti në menaxhimin e fondeve. Auditori ka theksuar se mekanizmi i kontrollit të brendshëm financiar, edhe pse parashihet në statut, nuk është funksional dhe nuk zbatohet në praktikë.
Ndër të tjera, janë përmendur edhe raste ku obligime financiare janë shlyer pa dokumentacion të mjaftueshëm, çka shkakton paqartësi në raportim dhe dyshim për qëndrueshmërinë e pasqyrave financiare.
LDK me dokumentacion të paplotë dhe mungesë kontrolli të brendshëm
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë opinion të kualifikuar. Raporti thekson se për objektin që shërben si seli qendrore, ekziston kontratë shitblerjeje vetëm për një pjesë të ndërtesës dhe kontratë qiraje për një pjesë tjetër, ndërsa pjesa më e madhe mbetet pa dokumentacion të vlefshëm të pronësisë apo shfrytëzimit.
LDK ka paguar tatim në pronë në vlerë prej 765 eurosh për vitin 2024, megjithatë mungesa e dokumentacionit e bën këtë veprim të paqartë në aspektin ligjor. Po ashtu, për 8 zyra në qytete të ndryshme, partia nuk ka paraqitur dokumentacion që vërteton të drejtën e shfrytëzimit.
Auditori ka theksuar mungesën e kontrollit të brendshëm financiar, që ndonëse është i paraparë në statut dhe i kërkuar me ligj, nuk është zbatuar. Kjo, sipas raportit, përbën rrezik për menaxhim të dobët të fondeve dhe shkelje të parimeve të transparencës.
Këto gjetje hedhin dritë mbi sfidat që ende përballen partitë politike në Kosovë në aspektin e menaxhimit financiar, duke nxjerrë në pah nevojën për rregullim më të fortë ligjor dhe zbatim rigoroz të standardeve të llogaridhënies. KQZ pritet të analizojë këto raporte dhe të ndërmarrë hapa konkretë për garantimin e transparencës në financimin politik.