Një situatë tensioni e shoqëruar me përplasje fizike u regjistrua pasditen e 20 qershorit në rrugën “Ilaz Kodra” në Prishtinë, kur një kontroll rutinë i Policisë së Kosovës eskaloi në konfrontim me qytetarë.
Sipas burimeve brenda organeve të rendit, incidenti ndodhi pas ndalimit të një veture të tipit BMW me targa vendore, e cila dyshohet se kishte tejkaluar një kolonë trafiku. Pas komunikimit të masës ndëshkuese – konfiskimit të patentës së shoferit B. Tora – situata u përshkallëzua nga ndërhyrja e pasagjerit në veturë, Naser Tora, rreth 47 vjeç, shtetas amerikan.
Burimet thonë se Tora ka reaguar ashpër ndaj zyrtarëve policorë, duke kaluar nga ofendime verbale dhe kërcënime, në përplasje fizike. Ai raportohet se ka shtyrë një polic dhe ka goditur një tjetër, çka detyroi zyrtarët të përdorin sprejin OC për ta neutralizuar dhe për ta vënë situatën nën kontroll.
Të dy personat janë shoqëruar në Stacionin Policor “Jugu”, ku janë intervistuar në prani të avokatëve. Ndaj Naser Torës është iniciuar rast për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, ndërsa dosja është proceduar në Prokurorinë kompetente.
Ngjarja është kapur nga kamerat e trupit të zyrtarëve policorë dhe aktualisht është nën hetim nga Njësia e Hetimeve Rajonale.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë për statusin ligjor të Torës si shtetas i huaj dhe nëse do të ketë masa të mëtejshme ndaj tij.