Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka dhënë një deklaratë të ashpër para seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, duke shprehur shqetësimin për situatën politike dhe krizën energjetike në vend. Ai kritikoi mungesën e gatishmërisë për ndërtimin e institucioneve dhe kërkoi nga qytetarët që të reflektojnë seriozisht mbi besimin që po u japin partive politike.
“Me garu kush është më patriot edhe mos me qenë në gjendje me u ulë e me ndërtu institucione në kohën kur bota po përballet me kriza sigurie, është e papranueshme,” – tha Limaj. “Vetëm 110 megavatë prodhohen sot energji elektrike. Kjo është alarmante.”
Limaj theksoi se Nisma Socialdemokrate, pavarësisht që është parti e vogël, ka treguar konstruktivitet dhe vullnet për zgjidhje, duke ofruar votat për marrëveshje politike që në ditën e parë të krizës institucionale.
“Për tre muaj jam sulmuar më së shumti në këtë vend, vetëm pse kam kërkuar gjënë më normale – të ulemi me kolegët e të gjejmë një zgjidhje,” – u shpreh ai.
Duke ju drejtuar qytetarëve, Limaj bëri apel për reflektim:
“Shikoni kujt po ia jepni besimin. Duhet të bëjmë dallimin mes atyre që përpiqen dhe atyre që jo. Është koha të adresohet përgjegjësia dhe të ndërtohen institucionet sa më parë.”
Ai vuri theksin edhe te situata e rëndë në sektorin energjetik, duke e quajtur të papranueshme që një vend me rezerva të mëdha të thëngjillit të prodhojë vetëm 100 megavatë energji.
“Shteti i Kosovës është duke u rrezikuar. Dëmet që po shkaktohen sot, do t’i paguajnë qytetarët nesër,” – përfundoi Limaj.
Deklarata e tij vjen në një moment të tensionuar politik dhe institucional, ku ende nuk është arritur një marrëveshje për ndërtimin e qeverisë dhe funksionalizimin e plotë të institucioneve.