Sot, komuniteti serb në Kosovë do të shënojë festën e Vidovdanit, e cila tradicionalisht mbahet në kompleksin përkujtimor të Gazimestanit, në periferi të Prishtinës.
Policia e Kosovës njoftoi se ka ndërmarrë masa të shtuara sigurie për menaxhimin e situatës gjatë kësaj dite. Në një komunikatë zyrtare, Policia thekson se janë planifikuar dhe zbatuar hapa operacionalë në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, për të garantuar rend dhe qetësi publike.
“Policia e Kosovës, me kohë ka ndërmarrë masat planifikuese dhe operative për menaxhimin e situatës së sigurisë, ruajtjen e rendit publik, orientimin e trafikut rrugor dhe menaxhimin kufitar,” thuhet në njoftim.
Policia ka apeluar te qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë, të shmangin çdo provokim dhe të respektojnë udhëzimet zyrtare të forcave të rendit. Janë paralajmëruar gjithashtu ndërprerje apo riorientime të përkohshme të trafikut në disa segmente rrugore, në funksion të sigurisë publike.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, duke garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët, pa dallim,” thuhet më tej në komunikatë.
Ndërkohë, Kryeministri në detyrë Albin Kurti, gjatë mbledhjes së djeshme të Qeverisë, tha se ka paralajmërime për destabilizim gjatë kësaj dite. Ai theksoi se ndonëse Vidovdani ka karakter fetar, kjo festë është keqpërdorur politikisht nga autoritetet e Beogradit, për të përhapur retorikë nxitëse dhe kërcënuese ndaj rendit në Kosovë.
Shënimi i Vidovdanit, i cili përkujton Betejën e Kosovës të vitit 1389, ka shpesh karakter simbolik dhe të ndjeshëm politik, ndaj autoritetet kosovare theksojnë se janë të vendosura të parandalojnë çdo akt provokues apo cenues të sigurisë publike.