Ukraina është përballur me një nga netët më të rënda që nga shpërthimi i luftës me Rusinë, pasi Moska ka ndërmarrë sulmin më të madh ajror në gati tre vjet konflikt. Lajmi është konfirmuar të dielën nga zyrtarë të lartë ushtarakë ukrainas, të cilët e cilësuan ofensivën si një përshkallëzim serioz që minon çdo përpjekje për paqe.
Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia ka lëshuar gjithsej 537 mjete luftarake ajrore, përfshirë 477 dronë, raketa të tipave të ndryshëm dhe objektiva mashtruese. Nga ky arsenal, 249 janë shkatërruar nga mbrojtja ajrore ukrainase, ndërsa 226 dyshohet se janë neutralizuar përmes bllokimit elektronik.
Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yuriy Ihnat, në një deklaratë për agjencinë Associated Press, e përshkroi këtë si “sulmin më masiv ajror ndaj vendit, duke përfshirë si dronët, ashtu edhe raketat”.
Sulmi ka përfshirë zonat lindore dhe jugore të Ukrainës, por për herë të parë që nga fillimi i luftës, është shtrirë edhe në rajonet perëndimore, larg vijave të frontit.
Për shkak të situatës së tensionuar, Forcat Ajrore të Polonisë dhe aleatët e NATO-s kanë ngritur avionët në ajër për të siguruar hapësirën ajrore polake, u bë e ditur në një deklaratë zyrtare të publikuar të dielën nga autoritetet e aleancës ushtarake.
🔺 Ngjarja shënon një kthesë dramatike në intensitetin e sulmeve ruse, duke shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejmë të luftës në Evropën Lindore.