E hëna në Kosovë do të karakterizohet nga mot me diell dhe temperatura të larta. Mëngjesi parashikohet të jetë pak më i freskët, por gjatë ditës pritet një stabilitet atmosferik, me kushte të favorshme diellore dhe rritje të ndjeshme të temperaturave, të cilat do të shënojnë deri në 32°C. Do të fryjnë erëra nga drejtimi i veriut dhe verilindjes, që në disa zona kontinentale do të sjellin ndjesi më të freskëta, sidomos në orët e para të ditës.
Ngjashëm me Kosovën, edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi, java nis me mot të kthjellët dhe me rritje graduale të temperaturave. Pas një ndikimi të përkohshëm nga një front i dobët i ftohtë, kushtet meteorologjike do të përmirësohen, duke sjellë ditë të nxehta e me diell. Më të nxehtit parashikohet të jetë në perëndim dhe veriperëndim të Shqipërisë, ku temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 35°C.
Sipas parashikimeve, javën e parë të korrikut e pret mot i nxehtë dhe me diell në gjithë rajonin.