Sot në orën 11:00 do të bëhet tentativa e 43-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në një proces që po zvarritet prej javësh për shkak të mospasjes së kuorumit për vendimmarrje.
Sipas agjendës zyrtare të Kuvendit, seanca do të vazhdojë aty ku kishte mbetur, pas ndërprerjes së saj në mbledhjen e kaluar nga kryesuesi Dehari. Në atë rast, mungesa e deputetëve bëri që kuorumi të mos përmbushej, duke e pamundësuar vijimin e procedurave për konstituim.
Dehari paralajmëroi se seanca do të rikthehet për diskutim sot, megjithatë nuk pritet ndonjë zhvillim i madh apo ndonjë kthesë vendimtare, pasi pozicionet politike të grupeve parlamentare duket se kanë mbetur të pandryshuara.
Ky është një nga ngërçet më të gjata institucionale në historinë e Kuvendit të Kosovës, i cili ka penguar jo vetëm zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por edhe krijimin e strukturave të tjera parlamentare dhe ngritjen e qeverisë së re.
Përfaqësues të shoqërisë civile dhe analistë politikë kanë bërë thirrje për kompromis politik dhe përgjegjësi institucionale, duke theksuar se zvarritja e procesit po dëmton funksionimin demokratik të vendit dhe besimin e qytetarëve në institucionet publike.
Në mungesë të ndonjë marrëveshjeje konkrete ndërmjet subjekteve politike, sot pritet që seanca të mbahet formalisht, ndërkohë që ngërçi institucional vijon.